Dita e tretë e protestës studentore, anulohet seanca plenare e Kuvendit
Protestat studentore në Tiranë hyjnë në ditën e tretë, ndërsa Kuvendi anulon seancën plenare të së enjtes.
Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e sotme, është anuluar pas protestave të dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin gjatë dy ditëve të fundit. Protestat studentore pritet të vijojnë edhe gjatë së enjtes, duke shënuar ditën e tretë të mobilizimit.
Deputetët e Partisë Socialiste janë larguar nga ambientet e Parlamentit pas anulimit të seancës. Të pyetur nga gazetarët lidhur me vendimin dhe situatën e krijuar, ata nuk kanë dhënë asnjë koment.
Protestuesit sulmuan disa institucione shtetërore
Gjatë protestave të një dite më parë, një sërë institucionesh shtetërore u vunë në shënjestër të sulmeve dhe akteve të dhunës. Mes tyre ishin Kryeministria, Kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë dhe Banka e Shqipërisë.
Një nga incidentet më të rënda u regjistrua pranë Kryesisë së Kuvendit, ku protestuesit mësynë hyrjen e godinës. Ata përdorën një tabelë rrugore të shkulur për të goditur dhe thyer derën, ndërsa u dëmtuan edhe xhamat e ndërtesës.
Forca të shumta policie pranë Parlamentit
Gjatë zhvillimit të protestave, në hyrje të Parlamentit ishin dislokuar forca të shumta policie për të garantuar sigurinë e institucionit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Në zonë ishte vendosur në gatishmëri edhe një autobot i policisë, por protestuesit shmangën hyrjen e Parlamentit ku ishin përqendruar forcat e rendit.
Anulimi i seancës plenare vjen në një kohë kur tensionet në kryeqytet mbeten të larta, ndërsa protestat studentore pritet të vijojnë për të tretën ditë radhazi.
Burimi: Ballkan Web
Më të lexuarat






k.jpg)